(Lulu)
Edhe sot, si shumë herë të tjera përgjatë këtyre viteve, në fund të ecejakeve të mia do të marr rrugën për në shtëpi, edhe pse nuk jam i sigurt nëse vërtet dua të shkoj aty.
Asnjëherë më parë nuk e kam vrarë mendjen kaq shumë se ku është në të vërtetë shtëpia ime? Është një godinë, një hyrje apartamenti, një kthinë e kësaj bote ku fizikisht rrinë njerëzit e gjakut tim, apo është diçka krejt tjetër?
Nuk është se nuk kam përgjigje për këtë pyetje, por thjesht atë e kaloj në heshtje. Dhe kjo vetëm sa i ndërlikon gjërat edhe më shumë.