Zonja Z

"Zonja Z" është një libër protestues, një zë revolte e indinjate për shoqërinë shqiptare të përbërë kryesisht nga femra të ndrydhura e meshkuj të tredhur.

Ky libër është manifestimi më thelbësor i filozofisë urbane të autorit Albatros Rexhaj. Rrëfimtari ynë, një shkrimtar, takon dashurinë e jetës së tij dhe nuk shkruan më. Ajo e plotëson dhe ai nuk ndien më nevojë të shkruajë.

Këta dy shpirtra binjakë, të kapur dorë për dore, përballen me paragjykimet dhe tabutë shqiptare. Bisedat e tyre ngrenë një sërë dilemash dhe pyetjesh të rëndësishme: mbi pozitën e femrës në shoqërinë shqiptare, mbi pseudovlerat morale të ngritura në piedestale, mbi hipokrizinë e turmës dhe lojërat pushtetare të kudogjendura.

Lajtmotivi kryesor i këtij bashkëbisedimi është feminizmi. Shpesh flitet për feminizëm në Shqipëri, po sa afër realitetit janë këto debate publike, kur nëpër shtëpitë e shqiptarëve, gratë janë ende, jo vetëm të pabarabarta, por të nënshtruara, fizikisht dhe psikologjikisht? Dhe kush është përgjegjës për këtë? Vetëm meshkujt, apo mos ndoshta edhe femrat vetë, nënat tona, kanë një pjesë të madhe përgjegjësie? Pse një femër që e jeton lirshëm seksualitetin e saj damkoset si e përdalë, ndërsa një mashkull që bën të njëjtën gjë admirohet?

Dy heronjtë tanë flasin edhe për lodhjen që ndiejnë kur luftojnë për ta ndryshuar botën e tyre, tek hasen me heshtjen gjykuese dhe moralizuese, që i përjashton dhe i bën të ndihen të vetmuar. Kjo është beteja e shumë të tjerëve dhe përfundimi i trishtë i kësaj historie tingëllon si një kambanë alarmi.

Kjo vepër është për të gjithë ata që kanë pak mllef e zemërim brenda tyre e megjithatë nuk arrijnë ta shprehin atë. Për të gjithë ata që shpesh do të donin të bërtisnin si të çmendur, në mes të rrugës, që të çliroheshin nga ndjenjat mbytëse. Rrëfimtari dhe Zonja Z u flasin këtyre, njerëzve të thjeshtë që përpiqen të mos humbin në përditshmërinë e tyre.

 

Botime PEGI, 2014

numri i faqeve: 184

ISBN: 978-9928-175-38-0

Për të gjithë ata që do të dëshironin ta kenë një kopje libri mund të porositet këtu 

https://bukinist.al/en/realism/1869-zonja-z.html