Albatros Rexhaj është autor shqiptar, i lindur në Prizren dhe i shkolluar në Prishtinë, që jeton dhe vepron në Tiranë. Është shkolluar për shkrimtar të dramës teatrore dhe skenarit të filmit, ndërkaq suksesin dhe famën i ka arritur në zhanrin e prozës letrare, gjithnjë duke u përkushtuar në zbërthimin e asaj që mund të cilësohet si “filozofi e përpjekjeve tona të përditshme”.
Një shkrimtar, dramaturg, i cili ashtu si filozofët e antikitetit që u përpoqën ta sjellin filozofinë në rrugë, përpiqet ta sjellë filozofinë në rrjet. Rrjetet sociale janë shndërruar në rrugët e lashtësisë, në sheshet ku filozofët shpalosnin idetë e tyre për debat dhe njohje masive. Filozofia e Albatrosit është një filozofi e dashurisë për njeriun, për të rigjetur forcën dhe energjitë pozitive tek secili, për të anashkaluar urrejtjen dhe frikën nga ekzistenca.
Në panairin jubilar të librit "Prishtina 2013", Albatros Rexhaj është nderuar me çmimin "Autori i vitit 2013".
Dramat "Në kërkim të daljes" dhe "Engjëlli i vdekjes", janë vënë në skenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. "Në kërkim të daljes" është rivënë nga skenë nga Teatri i Metropolit në Tiranë si dhe nga Teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë.
Albatros Rexhaj është një student i përhershëm, përherë në kërkim të dijes dhe shkathtësive të reja.
Pas përfundimit të studimeve themelore dhe ato të ciklit master në Fakultetin e Arteve, drejtimi dramaturgji, ka vazhduar rrugën e kërkimit të dijes duke përfunduar studimet për drejtësi, marrëdhënie ndërkombëtare si dhe menaxhim të sektorit publik. Albatros Rexhaj po ashtu mban titullin e doktorit të shkencave (Ph.D) në fushën e studimeve të sigurisë kombëtare.
Në funksion të zhvillimit të tij profesional, Albatros Rexhaj ka kryer me sukses trajnime të ndryshme profesionale të organizuara nga UNITAR (United Nations Institute for Training and Research), DCAF Geneva (Geneva Centre for Democratic Control of Armed Forces), Universiteti i Baselit, Akademia Policore Gjermane si dhe institucione të tjera prestigjioze ushtarake dhe të sigurisë.
Për gati tri dekada, Albatros Rexhaj ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në sektorë të ndjeshëm në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, ku ka kontribuar për sigurinë dhe paqen rajonale, si dhe luftën kundër ekstremizmit dhe krimit transnacional.
Së fundmi, Albatros Rexhaj është i përkushtuar vetëm në kujdesin ndaj shëndetit personal, si dhe kohë pas kohe në angazhime private si shkrimtar, artist, studiues, opinionist e qytetar i lirë.