Ledia Kostandini e ndien brenda vetes thirrjen e brendshme të artit bashkëkohor për ta transformuar hapësirën përreth nesh në një njësi organike të një vepre masive arti. Reja e instalacionit të saj, “The Dreaming City” (projekt i platformës HARABEL) e vendosur në kulmin e një pallati banimi në qendër të Tiranës, është vetëm pikënisja e këndvështrimit të ri për ta kundruar Tiranën. Është një ftesë për të hapur mendjen.
Përshtypja e parë është që kjo re, e punuar e tëra me pjata satelitore (sharpët e dikurshëm) që natën kanë funksionin e reflektorëve, nuk e ka vendin aty. Këtë mospërkatësi, këtë “gabim” në vendosje, vëzhguesi e dallon menjëherë. Por, po ashtu, aty për aty, e ndien që disi, në një mënyrë të çuditshme dhe jashtë sensit të shablloneve tona, kjo re e çuditshme natyrshëm e ka gjetur vendin e vet pikërisht aty, pikërisht mbi atë kulm.
Zgjedhja e pjatave satelitore për mjet rrëfimi ngërthen në vete simbolikën që këto pjata satelitore kishin për Shqipërinë që po dilte nga komunizmi. Ato ishin një mundësi për të realizuar ëndrrën e mohuar, dëshirën për të parë përtej në atë botën tjetër, në atë botën që jetonte ndryshe, në atë botën që jetonte më mirë, në atë botën që ishte e lirë, në atë botën që shqiptarët e donin për vete. Tirana e viteve të 90-ta ishte një Tiranë që donte ta jetonte ëndrrën. Dhe, në shumë mënyra vazhdon të jetë e tillë.
Me shikim drejt Muzeut Historik dhe dy kullave të reja “binjake” të Tiranës - Interkontinentalit të ri, që qëndron fuqishëm sikur do të gllabërojë gjithçka, dhe 15 katëshit të vjetër, që lufton për pak vëmendje – e përtej drejt sheshit dhe bulevardit, reja e Ledias synon të ekspozojë botët paralele që bashkëjetojnë në Tiranë. Një urë që lidh tre breza, tre mënyra të ndryshme të të menduarit: shabllonin e komunizmit, kaosin e tranzicionit dhe modernitetin agresiv që do të zë çdo hapësirë dhe vend.
Instalacioni, si formë bashkëkohore e artit, nuk synon përjetësinë, por, në sinkron me brishtësinë e ekzistencës njerëzore, e përqafon të përkohshmen në përpjekje për të lënë shenjë nëpërmjet ndërveprimit me ambientin dhe njerëzit përreth, për aq sa lejojnë kushtet dhe koha. Reja e Ledias ndërvepron si një procesor i ngacmimeve tona estetike nga ambienti dhe realiteti që na rrethon. Ajo është një kritikë për komercializimin e tepruar të mënyrës sonë të jetuarit, por edhe kritikë për pamundësinë tonë për të qartësuar dhe përkufizuar identitetin tonë urban. Si pothuajse çdo gjë tjetër në realitetin tonë, kjo re mund të jetë shumëçka, por edhe asgjë. Një përpjekje më shumë në vorbullën tonë ku bashkëjetojnë kotësitë dhe sfilitja për diçka më shumë.
Albatros Rexhaj