Media dhe Siguria Kombëtare

Kjo analizë shtron, në aspektin krejtësisht teorik, një shembull konkret të vijës së hollë që përcakton detyrimet ligjore, kombëtare dhe etike të këtyre dy sektorëve të rëndësishëm të një shteti të lirë dhe demokratik.

 

Me 23 Prill 2025, në mediat online të Tiranës, në stilin tashmë të njohur copy/paste nga njëri portal te tjetri, ka qarkulluar shkrimi “Skandali: Andi Haxhiu, djali i Batonit, paguhet 6,000 euro në muaj nga fondi sekret i SHISH për informacionet sekrete të NATO-s”. Natyrisht, kërshëria e opinionit, sidomos të atij tejet të politizuar, u fokusua te shprehja “djali i Batonit”. Vetëm kaq mjafton sepse të tjerat pastaj vetvetiu kanë fuqinë të ndjellin gjithfarë stihie llafesh, thashethemesh, supozimesh, e çfarëdo tjetër që mund të prodhojë laboratori i kotësive rezidente që nuk përton të merret me gjithçka që i del para.

Si studiues i fenomeneve që ndërlidhen më sigurinë kombëtare dhe funksionimin e institucioneve publike, objekt i kësaj analize nuk është Batoni, dhe as djali i tij. Objekt i kësaj analize është esenca e informacionit të shtjelluar në këtë shkrim, e që ndërlidhet ekskluzivisht me fushën e sigurisë kombëtare.

Përndryshe, sipas informacionit të disponueshëm publik, Andi Haxhiu rezulton të jetë i lindur në vitin 1995, është Doktor Shkencash nga Universiteti i Edinburgut, i specializuar për identitetin dhe nacionalizmin, dhe rrjedhimisht është edhe ligjërues në “School of Social and Political Science” të Universitetit të Edinburgut

Autori i paemër i shkrimit i shtron tezat në vijim:  

1.      autori pretendon që është në komunikim me një informator konfidencial nga brenda strukturës së SHISH, i cili, ndër të tjera, ka qasje në listat konfidenciale të pagesave që bëhen nga fondi sekret i SHISH,

2.      nëpërmjet këtij informatori konfidencial, autori ka siguruar qasje edhe në përshkrimin e ndarjes konkrete të detyrave brenda SHISH, gjegjësisht titujt zyrtar të personave dhe natyrën e punëve të veçanta që ata mund të kryejnë për SHISH,

3.      nëpërmjet këtij informatori konfidencial, autori po ashtu ka siguruar informacion mbi detyrat e veçanta që drejtuesja aktuale e SHISH ua ngarkon vartësve të saj, ku ndër të tjera është edhe personi që është objekt i shkrimit të datës 23 Prill 2025.

4.      Autori i paemër i shkrimit po ashtu pretendon që Drejtoresha aktuale e SHISH ka “kontakte të dyshimta me shërbime sekrete të vendeve jo-mike të NATO-s dhe të interesave kombëtare shqiptare”,

5.      Pretendimi tjetër është që Andi Haxhiu është “djali i Baton Haxhiut, një emër i përfolur për lidhje të forta me shërbimet sekrete serbe”, dhe që po i njëjti është “këshilltar i ngushtë i Edi Ramës prej mbi një dekade”.

Të gjitha pretendimet e mësipërme përbëjnë interes të veçantë për këdo që merret me çështje të sigurisë kombëtare, si për ata që punojnë në këtë sektor të ndjeshëm shtetëror, por edhe për akademikët që merren me studimin e fenomeneve që ndërlidhen më fushën e sigurisë kombëtare. Megjithatë, për dallim nga tre pretendimet e para, në dy pretendimet e fundit, autori i paemër nuk ofron ndonjë informacion që është në posedim të ndonjë fakti konkret, apo ndonjë burimi kredibil, për të mbështetur pretendimet që bën. Rrjedhimisht, në mungesë të këtij detaji shumë të rëndësishëm, këto pretendime trajtohen në rangun e hamendjes, spekulimit, supozimit apo çfarëdo tjetër e ngjashme, dhe, si të tilla, nuk përbëjnë interes për shqyrtim serioz.  

Për dallim nga këto dy të fundit, tre pretendimet e para përbëjnë interes të veçantë për shqyrtim teorik, sepse që të gjitha kanë të bëjnë me informacionin sekret, të rregulluar e të mbrojtur me Ligjin për Informacionin e Klasifikuar (LIGJ Nr. 10/2023) si dhe me nenet 293, 294 dhe 295 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Këto tre pretendime po ashtu prekin në misionin dhe detyrat delikate që SHISH i ka të rregulluara me ligjin e vet të veçantë, si dhe ndërtojnë narrativë të komprometimit të linjës zyrtare të raportimit që përfundon me krerët më të lartë të shtetit. Nëse rezultojnë të vërteta, të gjitha këto nënkuptojnë kërcënim tejet serioz të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.  

Në këndvështrim akademik, fillimisht duhet të shtrojmë disa informacione mbi misionin dhe funksionin e SHISH. Sipas Ligjit për Shërbimin Informativ Kombëtar (i miratuar në vitin 1998, dhe më pas i ndryshuar në vitin 1999 dhe së fundmi në vitin 2005), “Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK) është organ informativ në funksion të sigurimit kombëtar, që vepron në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë” (neni 1), dhe “Shërbimi Informativ Kombëtar siguron informacionin e domosdoshëm nga zbulimi dhe kundërzbulimi për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar. SHIK-u ushtron veprimtarinë e vet duke përdorur mënyra dhe mjete të ligjshme” (neni 2). Pra, kemi të bëjmë me një institucion tejet vital në arkitekturën e sigurisë së Republikës së Shqipërisë.

Më tej, neni 10 i ligjit e përcakton që “Shërbimi Informativ Kombëtar përjashtohet nga detyrimet që kërkojnë publikimin e metodave të punës dhe të burimeve të informacionit, të informacionit të klasifikuar, të strukturave, të funksioneve, të emrave, të titujve zyrtarë, të pagave e të numrit të personelit. Veprimtaria informative e SHIK-ut mbështetet me strukturat legale dhe të fshehta”. Pra, e drejta e SHISH për t’i mbajtur fshehtë të gjitha detajet e organizimit të brendshëm, mënyrës së veprimit dhe gjithçka tjetër, është detyrim ligjor.

Në këtë pikë të shqyrtimit duhet të vazhdojmë me përkufizimet dhe detyrimet ligjore që i përcakton ligji për informacionin e klasifikuar. Neni 5 i këtij ligjit specifikon që parimi kryesor i sigurisë së informacionit të klasifikuar është “konfidencialiteti që nënkupton mbrojtjen e informacionit të klasifikuar nga qasja e paautorizuar”. Ky nen po ashtu përcakton parimin e integritetit “që nënkupton mbrojtjen e informacionit të klasifikuar nga modifikimi i paautorizuar”. Këto dy parime ligjore janë shumë të rëndësishme për këtë shqyrtim teorik, sepse përcaktojnë që një person i paautorizuar (kushdo qoftë ai) nuk mund të ketë qasje në informacione konfidenciale, dhe që përmbajtja e informacionit sekret nuk mund të modifikohet, pra të transmetohet në një formë tjetër nga ajo që vërtet është. Kjo e fundit ndërlidhet edhe me parimin e autenticitetit, një detyrim tjetër i rëndësishëm ligjor i përfshirë në nenin 5.

Më tej duhet cekur që neni 6 përcakton qartë detyrimin ligjor që “e drejta e njohjes me informacionin e klasifikuar kufizohet vetëm tek ata persona që kanë nevojë për njohje dhe përmbushin kriteret e sigurisë”. Për më tepër pika 5 e nenit 6-të e përcakton qartë detyrimin ligjor  që “informacioni nuk publikohet kur është i klasifikuar “sekret shtetëror”, pra dokumentet e klasifikuara si sekret shtetëror, apo pjesë të përmbajtjes, nuk guxojnë të publikohen.

Në këtë pikë të këtij shqyrtimi teorik duhet theksuar që pika 6 e nenit 6-të, të ligjit për informacionin e klasifikuar, përcakton detyrimin ligjor që “çdo individ ka për detyrë që të mbrojë informacionin e klasifikuar sipas këtij ligji, pavarësisht nga mënyra se si ai ka arritur ta posedojë apo ta garantojë të drejtën e njohjes së këtij informacioni të klasifikuar”. Theksi bie te fjala “çdo individ”, që nënkupton kushdo. Pra, detyrimin ligjor për të mbrojtur informacionin e klasifikuar, ligji nuk e kufizon vetëm te personat zyrtar, por e përcakton si detyrim ligjor për çdo shtetas të Republikës së Shqipërisë, apo këdo tjetër që gjendet brenda juridiksionit të shtetit shqiptar.

Në vijimësi të kësaj logjike juridike, neni 73 i këtij ligji e specifikon që “shkelje e sigurisë së informacionit të klasifikuar është veprimi ose mosveprimi nga cilido që vepron në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe që rezulton ose jo në ekspozimin e pjesshëm apo tërësor te një person i paautorizuar”. Pra, përsëri kemi shprehjen “cilido”, që nënkupton që detyrimi ligjor vlen për të gjithë shtetasit, dhe të tjerët që gjenden brenda juridiksionit të shtetit shqiptar.

Sipas ligjit për informacionin e klasifikuar, shkeljet e sigurisë konsiderohen edhe vepra penale. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht nenet 293, 294 dhe 295, në mënyrë shteruese përcaktojnë sanksionet përkatëse penale.

Në bazë të asaj që ka prezantuar autori i paemër i shkrimit të datës 23 Prill 2025, ekziston dyshimi i bazuar për veprat penale në vijim:

Nëse vërtet ekziston atëherë informatori sekret brenda SHISH, si person zyrtar, e ka shkelur nenin 295/a (Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete), një vepër penale e dënueshme deri ne pesë vjet burgim. Shto kësaj edhe sanksionet e përcaktuara me rregullore te brendshme të SHISH, e që nuk janë objekt i këtij shqyrtimi.

Nëse të dhënat e prezantuara në këtë shkrim janë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me situatën ku informatori sekret ka qenë i ngarkuar me ruajtjen e informacionit të klasifikuar, i përdorur për nevojat e shkrimit në fjalë. Ky zyrtar akoma i paidentifikuar i SHISH ka shkelur nenin 294 të Kodit Penal. Sipas paragrafit të fundit të nenit 294, pasi që zbulimi i informacionit të klasifikuar është bërë botërisht, vepra penale është e dënueshme me deri dhjetë vjet burg. Po ashtu duhet shikuar në mënyrë të veçantë nëse qëllimi i zbulimit të këtyre informacioneve ka pasur për qëllim edhe dëmtimin e interesit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, situatë që është e mbuluar me nenet 213 (Dhënia e informatave sekrete) dhe 214 (Sigurimi i informative), të dënueshme deri ne njëzet vjet burgim.

Pra, nëse pretendimet e shtruara në shkrim janë të vërteta, ekziston dyshim i mjaftueshëm që Inspektori i Përgjithshëm dhe Prokuroria e Shtetit të nisin hetimet për të identifikuar zyrtarin e SHISH, që ka shërbyer si informator për autorin e paemër, si dhe për të konstatuar nëse vërtet janë kryer këto vepra penale nga ana e këtij zyrtari.

Në këtë pikë të këtij shqyrtimi duhet theksuar që përgjegjësia penale nuk kufizohet vetëm te informatori konfidencial, që i ka ndihmuar autorit të shkrimit, por edhe te autori, si dhe te mediumet që e kanë publikuar shkrimin sipas modelit copy paste.

Neni 295 i Kodit Penal (tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit) e përcakton qartë që “tregimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga cilido që ka mundur të vijë në dijeni për to, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Theksi këtu bie te fjala “cilido”, pra edhe gazetarët, si shtetas të Republikës së Shqipërisë, një kategori specifike e shtetasve që gjatë punës së tyre mund të vijnë në dijeni për përmbajtjen e sekreteve shtetërore, kanë detyrim ligjor që ato t’i mbrojnë, pra të mos i tregojnë, përhapin apo të informojnë për to. Këtu nuk ka asnjë hapësirë për interpretime të lira: gazetarët nuk janë kategori mbi ligjin, ose kategori force majeure që vepron jashtë fuqisë së ligjit.

Në paragrafin e fundit të këtij neni, hartuesit e Kodit Penal e rrisin peshën e veprës penale, për rastet kur sekretet shtetërore përhapen në mënyrë publike. Paragrafi i fundit i nenit 295 thotë: “po kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”. Pra, cilido që tregimin, përhapjen dhe informimin e përmbajtjes së sekreteve shtetërore e bën në mënyrë publike rrezikon sanksione edhe më të ashpra. Pra, edhe njëherë, ligji është i qartë për të gjithë shtetasit, përfshirë edhe gazetarët, që sekretet shtetërore nuk guxojnë të publikohen.

Nëse konstatohet që pretendimet e autorit të pa emër janë të sakta, pra që ato vërtet pasqyrojnë përmbajtjen, ose një pjesë të përmbajtjes, e të dhënave që konsiderohen sekret shtetëror, atëherë Prokuroria e Shtetit mund të zgjerojë hetimet me dyshimin e bazuar që edhe shtetasit e përfshirë, pra autori apo autorët e pa emër, kanë shkelur nenin 295.

Natyrisht, së paku në rrafshin teorik, ekziston mundësia që autori i paemër të ketë sajuar “informatorin konfidencial”, si dhe të ketë sajuar po ashtu edhe pretendimet që prezanton në shkrim. Autori edhe mund të mbrohet duke aluduar që sajimi i të dhënave dhe pretendimeve është bërë thjesht për qëllime sensacionale. Pastaj, gjithnjë në rrafshin teorik, ekziston edhe mundësia që një person i caktuar edhe mund të jetë prezantuar si zyrtar i SHISH dhe ka prezantuar të dhëna e dokumente të rrejshme, kinse ato janë të SHISH. Në këndvështrimin e  kuadrit ligjor që rregullon çështjet e sigurisë kombëtare, situata e tillë po ashtu përbën një cenim të sigurisë kombëtare, edhe pse dukshëm në një masë më të butë.

Në skenarin e parë, ku autori i paemër ka rënë pre e mashtrimit të një personi që rrejshëm është prezantuar si zyrtar i SHISH, dhe që po ashtu ka prezantuar dokumente dhe të dhëna të rrejshme, atëherë përgjegjësia penale bie mbi këtë person që është prezantuar rrejshëm. Personi i prezantuar rrejshëm është në shkelje të neneve 246 (Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore), neni 247 (Mbajtja pa të drejtë e uniformës) dhe 186 (Falsifikimi i dokumenteve) të Kodit Penal të Republikës së Shqipërirsë. Nëse personi identifikohet dhe shpallet fajtor mund të dënohet deri në shtatë vjet, e ndoshta edhe më shumë nëse Prokurori kërkon përgjegjësi të veçantë penale për shkeljet e veçanta të Kodit.

Në skenarin e dytë, ku autori i paemër ka sajuar ekzistencën e informatorit konfidencial, si dhe ka sajuar të dhëna, për t’i prezantuar si sekrete shtetërore, atëherë Prokurori mund të ndërtojë proces penal kundër autorit të paemër, për shkelje të neneve 246 dhe 186 të Kodit Penal. Në këtë rast është vetë autori që, nëpërmjet një alteregoje imagjinare, ka bërë prezantim të rrejshëm si dhe ka sajuar dokumente të rrejshme. Po ashtu Prokurori duhet të hulumtojë më tutje mbi motivet e autorit të pa emër për të parë nëse janë shkelur nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal.

Neni 119 (Fyerja) thotë: “Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë”.

Ndërkaq neni 120 (Shpifja) thotë: “Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë”.

Neni 119 dhe neni 120 vlen edhe për situatën hipotetike ku informatori i rrejshëm ka pasur për qëllim cenimin e nderit dhe dinjitetit të personave të targetuar.

Pra, në këndvështrimin e kuadrit ligjor që mbulon çështjet e sigurisë kombëtare, prezantimi i rremë i fakteve që pretendohen si sekrete shtetërore, është çështje tejet serioze penale. Edhe në kuadrin e të drejtave të personave të targetuar në shkrim, për shkak të implikimit në çështje të ndjeshme të sigurisë kombëtare, nëpërmjet shpifjes, me qëllim të fyerjes dhe cenimit të nderit dhe dinjitetit të personit, po ashtu janë vepra serioze penale.

Si konkluzion është obligim i SHISH, Inspektorit të Përgjithshëm dhe Komisionit përkatës parlamentar që mbikëqyr SHISH që të nisin hetime serioze për të konstatuar nëse ka pasur cenim të sigurisë kombëtare, pra parimeve ligjore të funksionimit të SHISH, dhe më pas çështja të konsultohet edhe me Prokurorinë e Shtetit. Po ashtu shtrohet edhe nevoja për një komunikim miqësor dhe shterues, në mes të institucioneve të sigurisë dhe shoqatave që promovojnë e mbrojnë të drejtat e gazetarëve dhe medias, për dinamikat e mbrojtjes së sekretit shtetëror, të garantuar me ligj, si dhe për të garantuar profesionalizmin dhe integritetin e medias, si instrument i rëndësishëm i një shoqërie të lirë.

 

Albatros Rexhaj

Tiranë, 5 Maj 2025.

(Autori është studiues i fenomeneve që ndërlidhen me funksionimin e institucioneve publike. Autori ka gradën PhD në fushën e studimeve të sigurisë kombëtare si dhe është jurist i specializuar në të drejtën publike.)