Biografia

Albatros Rexhaj është autor shqiptar, i lindur në Prizren që aktualisht pothuajse njëkohshëm jeton dhe vepron në dy qytete, në Tiranë dhe në Prishtinë.

Është shkolluar për shkrimtar të dramës teatrore dhe skenarit të filmit, ndërkaq suksesin dhe famën i ka arritur në zhanrin e prozës letrare, gjithnjë duke u përkushtuar në zbërthimin e asaj që mund të cilësohet si “filozofi e përpjekjeve tona të përditshme”.

Albatros Rexhaj është pjesëmarrës pasionant në jetën publike shqiptare, origjinal në paraqitje dhe me prirje të veçantë për spektakël, por së fundmi, për shkaqe tërësisht personale, është tërhequr paksa nga jeta publike.

Përkundër numrit rekord të shitjeve, vendimin për të lejuar leximin ONLINE të librave të tij, së paku atyre që tashmë janë liruar nga detyrimet që ka autori ndaj botuesve, Albatros Rexhaj e ka marrë nga dëshira që vepra e tij, si pjesë e pandashme e trashëgimisë së tij shpirtërore, t’u përkasë të gjithëve.

Bibliografia e tij artistike përfshin këto vepra:

“Bombë në Beograd”, roman,

“Lettera a un amico italian dal Kosovo”, botuar nga Rizzoli, RCS Milano,

“Në kërkim të daljes”, dramë e vënë në skenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Metropol të Tiranës,

“Engjëlli i vdekjes”, dramë e vënë në skenë nga Teatri Kombëtar i Kosovës,

“Ditar dashurie i një shkrimtari, përmbledhje shënimesh artistike,

“Edith”, roman,

“Zonja Z”, novelë,

“Rebelimi i Lúlus”, ese artistike e shkruar në formë ditari,

“Kthimi”, novelë.

Në vitin 2013, në panairin jubilar të librit, nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Albatrosi është shpallur si shkrimtari i vitit.

Përveç shkrimeve, Albatrosi është tejet i përkushtuar pas kërcimeve latine dhe fotografisë artistike, duke qenë gjithaq i apasionuar pas botës së modës.