KRAHËT E LIDHUR

(shënim i Zonjës Z) 


Përballë dështimit të vet, njeriu e ka të vështirë, pothuajse të pamundur, ta pranojë qoftë edhe mundësinë teorike se dikush nga rrethi i tij mund të ketë sukses. Na duan për ëndrrat tona, për shkëlqimin e bukur të fluturimit plot vetëbesim, por, në vend të na bëhen bashkudhëtarë, bëjnë çmos të na i lidhin krahët. Na duan sepse jemi të shpejtë, të vendosur, plot siguri, por nuk mund të na durojnë si të tillë dhe synojnë të na i lidhin këmbët që të mos e hedhim hapin tjetër. Përballë kësaj, nuk duhet shumë mend për ta zbuluar shkakun pse ndihemi të lodhur, të rraskapitur e të zhgënjyer. Përballë ironisë së jetës, thjesht e humbim besimin në të bukurën, e humbim besimin se ia vlen të angazhohesh dhe të bësh diçka më shumë. 


E ke vënë re si një ëndërrimtar (kështu i quaj të gjithë ata në shpirtin e të cilëve ende ndriçon drita e pasionit të pastër dhe e mendimeve të bukura) rreket që, me entuziazmin më të madh, ta ndajë ëndrrën e vet me dikë tjetër. Por nuk arrin as ta tregojë mirë, pasi menjëherë fillon vala e shkurajimit. Ëndërrimtari pret përkrahje, por merr vetëm një thes me dyshime: “Nuk e besoj se mundesh. A je i sigurt se di ta bësh këtë? E ke menduar se çfarë do të thonë të tjerët?” Nuk ndalen derisa dhe vetë ëndërrimtari fillon të dyshojë në veten e tij.  


Nuk ka gjë më të poshtër sesa të helmosh me farën e keqe të dyshimit një shpirt pasionant. Dyshimi mund ta shuajë f lakën e pasionit të pastër. Kur fara e tij lëshon rrënjë në shpirtin e njeriut, atëherë pasioni spostohet në plan të dytë. Në këtë gjendje edhe njeriu me vetëbesimin më të madh bie në hamendje dhe, sado të përpiqet, nuk mund t’ia dalë. Dhe këtu f illon ironia e radhës: ëndërrimtari heq dorë dhe askush më nuk merret me të, madje e shpërfillin dhe e trajtojnë si dështak. 


Prandaj unë kurrë nuk do të lejoj që dikush të m’i lidhë krahët, të ma helmojë shpirtin me dyshime dhe të ma fikë pasionin. Nuk do t’ia jap askujt kënaqësinë që të mund të më shpërfillin si një dështake. Ëndrrat e mia janë e vetmja gjë që më mban gjallë. Jetojmë nën presionin e atyre që janë gjithnjë gati të të numërojnë gabimet dhe të t’i rrënojnë idetë, ende pa u formësuar ato mirë; të atyre që si vampirë ushqehen me dëshpërimin e të tjerëve; të atyre që ta thithin edhe dromcën e fundit të dinjitetit e si në një ankth prej të cilit nuk mund të zgjohesh, të tërheqin drejt humnerës. 


Për të shpëtuar prej tyre ka vetëm një zgjidhje: duhet shporrur frika jonë, sepse këta vampirë fuqizohen vetëm nga ajo. 

(Albatros Rexhaj)

 

###

Për të gjithë ata që do të dëshironin ta kenë një kopje libri mund të porositet këtu 

https://bukinist.al/en/realism/1869-zonja-z.html