FAJTORE PËR HESHTJEN E TYRE

(shënim i Zonjës Z)

Nëse të jam dukur kritike ndaj një lloj mashkulli shqiptar, të jesh i bindur se dy herë më shumë jam kritike ndaj një lloj femre shqiptare.

Femrat jo vetëm duhet të ankohen për padrejtësitë që iu bëhen, por duhet të gjejnë guximin që të marrin fatin e vet në duart e tyre. Shumica e femrave shqiptare nuk e ngrenë kurrë kokën dhe kjo është më e keqja. Kur ndonjëra prej tyre tregohet e guximshme dhe synon të jetojë ashtu siç ajo e vlerëson, janë vetë simotrat e saj që nguten ta gjykojnë, ta përflasin dhe ta luftojnë.

Fjala “kurvë”, “lavire” e të tjera si këto, së pari përdoren nga vetë këto gra, saqë duket sikur ato nguten të luajnë rolin edhe të shenjtores, edhe të denoncueses. Mendojnë se kështu do të fitojnë një vlerë të shtuar dhe më kujtojnë skllevërit që u bëheshin krahë padronëve në disiplinimin e skllevërve të tjerë. Është interesante si të robëruarit tërë kohën flasin për lirinë, por, në të njëjtën kohë, tremben prej saj. Për shumicën prej tyre, liria është një aventurë e rrezikshme me plot sfida, të papritura dhe rreziqe të panjohura, sepse në liri ata duhet të kujdesen për veten e tyre. Ndërkaq, sado e keqe të jetë, me robërinë janë mësuar dhe dinë çfarë të presin prej saj. Kështu janë edhe këto lloj femrash, robëresha të një sistemi të cilin janë të parat që e mbrojnë me çdo kusht.

(Albatros Rexhaj)

###

Për të gjithë ata që do të dëshironin ta kenë një kopje të "Zonja Z", libri mund të porositet këtu 

https://bukinist.al/en/realism/1869-zonja-z.html