A ËSHTË VËRTET E BUKUR DASHURIA?

Atëherë gruaja foli sërish: Por a nuk supozohet që dashuria do të duhej të ishte diçka e bukur? Të gjithë biem në dashuri me idenë se do të përjetojmë diçka të jashtëzakonshme, ndërkaq më pas zhgënjehemi. Nuk ju duket paksa ironi e tepruar kjo?

Dhe shkrimtari u përgjigj duke thënë: Edhe dashuria e ka një filozofi të veten, ndërkaq në qendër të saj qëndron pikërisht ironia për të cilën më pyetët. Të gjithë të thonë se dashuria ka fuqinë të frymëzojë poezi, këngë e romane, por askush nuk të tregon se pothuajse të gjitha këto gjëra kanë lindur nga vuajtja. Nuk të tregojnë se po këta që të flasin sa bukur është të jesh i dashuruar janë shndërruar në mjeshtra të kamuflimit të dhimbjes të cilën e fshehin tërë kohën.

Nga unë nuk do të dëgjosh diçka të tillë!

Dashuria vërtet është e bukur, vështirë se ka diçka më të mrekullueshme sesa të ndihesh i dashuruar, por dashuria është edhe një andrallë që t’i shteron të gjitha energjitë. Prandaj them se është e lehtë të flasësh për gjërat thjesht në parim, të përpiqesh ta bindësh tjetrin për koncepte filozofike të asaj si dashuria është gjëja më e bukur e gjëra të ngjashme, sa kohë që nuk e ke provuar në lëkurën tënde dhimbjen dhe trishtimin e tjetrit.

Është diçka mjaft e trishtë, por vështirë se njohim ndonjë formë tjetër të të dashuruarit, përveçse nëse kjo nuk vjen në një pako dyshe bashkë me vuajtjen dhe lëndimet që vijnë të vargëzuara.

Vuajmë për të dashuruar dhe pastaj dashurojmë duke vuajtur.

Dhe e di pse është kështu kjo?

Jemi të pavërtetë!

Kaq.

Dhe për shkak se jemi të pavërtetë, deri në atë pikë saqë as nuk na pengon kjo gjë, fjalët “njeri i mirë” dhe “budalla” sot nënkuptojnë po të njëjtën gjë. Po u tregove i kujdesshëm dhe po dashurove sinqerisht do të të thonë “uauuu sa i mirë që je”, por ka shumë rrezik që edhe do të të marrin për budalla, ndërkaq po u tregove shpërfillës atëherë do të marrin për njeri serioz dhe si dikush që ka një lloj vlere.
Dhe mos mbaj shpresa se kjo gjë do të ndryshojë.

Këtë absurditet tonin e kemi ndryrë mes një parzmoreje të egër, rreth e përqark të mbrojtur nga një mur i lartë, absolutisht i pathyeshëm edhe për së paku 100 vitet e ardhshme.

(Albatros Rexhaj)

 

###

Për të gjithë ata që do të dëshironin ta kenë një kopje libri mund të porositet këtu 

https://bukinist.al/en/oferta-20/9699-kthimi.html